Saturday, July 24, 2010

Prag vjeshte

Një diell tinzar qiellin e gabuar
përndrit përditë.
...oh… ditet po tkurren…
abortohen të lodhura një nga një...

Stinët me dolli të zhurmshme
rrëkëllehen në grykë të viteve
dhe kohë s’kam
të gjej një shtrat për rrënjët
që rrëgjohen dita ditës....
të pa mbjella…

Thursday, July 8, 2010

Kthim pas

Shtëpia nga dolëm përdore të dy,
është prapë aty, në murin suva-ashpër
përballë shtratit ku akoma fle fëmijëria ime.

E para ishte drita atëherë…
Dritë e syrit të një fëmije,
krijonte mbi suvanë e murit
shtepi, qytete, zogj, banorë,
ujra, qiej, dashuri ...


Kështu nga një vështrim
jemi krijuar edhe ne...
Piktura në pëlhurën e qiellit
që kanë humbur rrugën për në shtëpi…
...sepse e lëmuar është tani suvaja
dhe (për)dora jote mungon.