Thursday, November 27, 2014

Nokturn # 1

Ajo kishte marrë udhën që të çonte në shtëpinë e të atit. Në njëfarë mënyre e dinte që vizita e saj ishte e lidhur me një vdekje që kishte ndodhur në një krushqinë e tyre dhe që njerëz nga krushqia kishin ardhur në shtëpinë e të atit para se të shkonin në funeral. Rruga për në shëpi ishte akoma e shtruar me kalldrëm, para murit të avllisë kishte mbirë dhe ishte rritur një pemë e madhe fiku me degët që i vareshin në oborrin e saj. Fik i zi plot me kokrra të pjekura. Çfarë të jete fiku vallë në spjegimet froidiane? Kokrrat e ëmbla i ngacmonin dëshirën për tu ngjitur në pemë por do kishte kohë më vonë për këtë. Nxitoi hapat sepse po e prisnin. Në fund të fundit degët në oborrin e saj binin edhe pse trungu ishte në rrugën e madhe. Në sallon njerëzit venin e vinin. Dy burra të rinj midis tyre. Njëri më i shkurtër dhe tjetri më i gjatë. Fytyra të para, shumë larg takuar ndoshta kur akoma në shtepinë e të atit ajo kishte banuar . Më i shkurtri u afrua dorën i zgjati përzemërsisht. U takuan . Përdore pastaj e mori dhe me një  nënqeshje provokuese tek më i gjati e drejtoi. Sytë e tij blu dhe flokët e zeza në gjatësinë e jakës së këmishës, iu dukën tepër të njohur. Dorën ia dha përzemërsisht. Shtëpia gumëzhinte nga njerëzit. “Ngrihuni – u dëgjua një zë- duhet të shkojmë aty ku jemi nisur” Ajo doli ti takonte përsëri të ikurit dhe  u gjënd në rrugicat e ngushta të lagjes së saj. Nga pas ndjeu hapa ti afroheshin. Ktheu kokën dhe  burri i gjatë e ndiqte me një buzeqëshje të matur në fytyrë. E la ti afrohej dhe ti hidhte dorën në sup. Një ndjesi e ngrohtë e mbështolli dhe e bëri të futej nën pallton e tij të gjatë. “Më trego për veten- e pyeti ai- çfarë është bërë me ty keto vite?” Akoma nuk i kujtohej ekzaktësisht kush ishte ky, por ndjesia që provonte e bënte të mendonte që e kishte takuar kohë më parë në rrethana që nuk i mbante mend. “ Jam e martuar, kam dy djem dhe jetoj në një shtet tjeter. Po ti?” “Ai nxorri një leter nga xhepi ku kishte diçka të shënuar. “ I kam të shkruara këtu- i tha- e dija që do të takoja” dhe filloi të lexonte  me një zë të zvarritur. Ajo hodhi sytë dhe lexoi midis rreshtave emrat e djemve të tij. Pastaj ai e puthi lehtësisht në faqe dhe ajo ia ktheu puthjen në qafë, vendi ku ajo preferonte më shumë ti puthte meshkujt. E puthi përsëri dhe përsëri e etur. Nuk e kuptonte çfarë ishte ëmbëlsia që i sillte ngjeshja e trupit të saj pas atij të burrit të gjatë emrin e të cilit nuk mund ta kujtonte kurrësesi. “ Po ne të dy? – e pyeti papritur- çfarë kemi pasur në të dy  ë? Çfarë kemi bërë ne të dy?” Ai buzëqeshi djallëzisht dhe u përgjigj: “ Ne të dy… kemi luajtur”  “ Vërtet?” bërtiti ajo. Në vështrimin e tij u ndje një fyerje e madhe. Si? Ajo nuk e mbante mend?  Ajo mallkoi kujtesën e saj të shkurtër dhe pastaj kujtesa e mallkuar i ravijëzoi  dhomën e miqve në shtëpinë e të atit,  krevatin tek të mysafirëve dhe një ngrohtësi, pikërisht këtë që i jepte ngjitja pas trupit të këtij burri “ Po prit- mendoi ajo me vete- prit…. Si ka mundësi, unë kam qënë e virgjër kur jam martuar” . “Vërtet?” e pyeti përsëri burrin dhe jehona e zërit të saj kësaj here e zgjoi. Hapi sytë dhe ndjeu ftohtësinë dhe absurditetin e realitetit që e rrethonte. I mbylli sytë përsëri me forcë. Ëndrra kishte ikur. Vetëm ndjesia e saj varej si një tullumbace e shfryrë e lidhur në një shkop.

No comments: