Tuesday, August 18, 2015

Tregimet e Lagunes ( 5 )

  - 5 -

Sot ajo ishte tepër e heshtur, e lënduar dhe nuk nxorri asnjë fjalë me atë zërin e saj të qetë të krijuar nga fërkimi i ujit me ajrin. Dukej krejt e huaj , sikur kurrë te mos kishim folur më parë dhe çdo gjë që kishte ndodhur të kishte qënë veç një mashtrim i shqisave.
Mbrëmë kur shkova ta takoj pashë që një tufë huliganësh e kishin rrethuar dhe po e shkelnin me këmbë anë-e-mbanë. Ajo rënkonte në heshtje. Flokët e gjelbër me xhufkat e kafenjta në majë të cilat ajo i shkundëte me krenari një ditë me parë po ia shkelnin pa kujdes. Nuk di çfarë po kërkonin. Mos vallë donin të prishnin shtëpine e Madhërisë së Tij?  Apo të shkatërronin foletë e rodentëve të vegjël? Rosat lemeriseshin sa andej këtej. Madhëria e Tij nuk mundi ta bënte shëtitjen e mbrëmjes madje as që e pashë fare të dukej. Ata kishin kapërcyer në bregun tjetër, në bregun e virgjër ku nuk kishte shkelur këmbë njeriu më parë, sepse ishte i mbushur me shkurre të dendura. Vapa kishte tharë ujrat dhe një fije toke e holle dhe e thatë kishte rrethuar bregun. Pikërisht ketë rrip toke kishin përdorur për të kaluar matanë dhe kishin filluar të ulërinin me zë të lartë duke trembur dhe lemerisur çdo gjë të gjallë që jetonte atje në paqe dhe qetësi. Njëri nga ata mbante me vete një kërrabë të gjatë metalike dhe shpupuriste me të të gjitha gëmushat me rradhë. Nuk di çfarë ndjeja ekzaktësisht në ato momente, frikë apo dhimbje por e sigurt është që nuk kisha asnjë fjalë. Vetëm qëndrova atje për disa momente krejt e shtangur.
Sot ajo dukej si njëri i përdhunuar. E heshtur dhe pa fjalë . Pa fjalë edhe unë ndërsa trafiku i mendimve dhe dëshpërimit arriti pikën maksimale. Si është kështu e mundur që njerëzit të shkatërrojnë çdo gjë magjike të këtij planeti , çdo gjë që të mbush me gëzim, çdo gjë që të bën të dukesh e veçantë? Si mund t’i përdhosin dhe përdhunojnë kështu krejt pa kujdes momentet që ke kaluar?
Të dyja rrimin të heshtura. Unë nuk kisha asnjë ide se çfare po ndodhte me të. Ndoshta thjesht mohim i rracës njerëzore në të cilën absolutisht bëja pjesë edhe unë. Ndërsa ajo që ndjeja unë ishte boshllëku dhe dhimbja nga lëndimi pa fund i shpresës. I shpresës që gjërat magjike ekzistojnë, që mund të ketë një cep të këtij planeti ku haromonia të jetë afër persosmërisë. Dhe nuk ka dhimbje më të madhe se sa dhimbja e shpresës së plagosur.  As dashuritë e vrara nuk dhëmbin aq shumë, sepse dashurite nuk vdesin, ato mumifikohen diku brënda nesh, ndërsa shpresa vdes. Apo ndoshta shpresa dhëmb më shumë ngaqë ajo ishte gjëja e fundit në të cilën Pandora duhet të besonte dhe  pas së cilës duhet të mbahej për të mbijetuar, pasi hapi kutinë e mallkuar të veseve dhe poshtërsirave të tjera. Gjëja e fundit fare.
Qëndruam të heshtura për një farë kohe pastaj unë ika.

Ika me një peng në grykë… Më duket se e humba përgjithmonë. 






1 comment:

Anonymous said...

Marredhenja e njeriut me natyren eshte shprehje e raporteve mes vete njerezve. Teme interesante dhe turbulente.