Friday, August 21, 2015

Tregimet e Lagunes ( 7 )

-          -7 –

Ka rënë gjithë ai shi por sot përsëri e pashë të zvogëluar dhe të mpakur sikur lëngonte nga ndonjë e keqe. Kam filluar ta dua shiun së fundmi kur shoh se sa e lumtur bëhet bimësia përreth pasi bie shi. Përroi që kalon aty pranë gurgullon me gëzim poshtë, ndërsa ajo po zvogëlohet përditë si nga një trishtim i paralajmëruar.
Madhëria e Tij aty në sfond duket i tharë dhe petashuq sikur sapo ka dalë nga herbariumi midis fletëve të ndonjë libri që e ka shkruar po ai vetë. 
-         -  Çfarë mendove? – më pyet
-          - Si mund të çbëhet një bimësi e mbjellë , le të themi, prej 10 vjetësh? Le të themi që ti.. pra ti… lejon dikë që dëshiron me mish e me shpirt… ( dhe kjo me mish e me shpirt nuk është figurative këtu) pra dikë që dëshiron të mbjellë diçka në tokat e tua dhe të thotë që ti dhe vetëm ti mund ta rrisësh atë bimësi… të lutet për vite me rradhë dhe më në fund ti pranon dhe ia hap dyert… e lejon në tokat e tua dhe dikushi hedh farën… bimësia mbin… e ushqen dhe e rrit për vite me rradhë… pasi arrijnë të krijojnë bindjen që kjo tokë është i vetmi vënd i mrekullueshëm për atë lloj bimësie, pasi ngrenë në piedestal dhe të bëjnë të besosh që nuk ka vënd tjetër më të mirë se tokat e tua dhe pasi bimësia rritet dhe lëshon rrënjë… a mund të çbëhet dhe si?
-         -  Vjen Vjeshta – pergjigjet ajo krejt qetësisht.
-        -   Po më thua që vjen  vjeshta dikur dhe e zhvesh dhe dimri dhe e than? Por ato janë vetëm cikle, stinë, sepse pastaj vjen prap pranvera dhe çdo gjë fillon nga e para.
-          - Ashtu ndodh – pohon ajo
-         -  Pra po më thua, me fjalë të tjera që nuk çbëhet?
-         -  Me fjalë të tjera – foli ajo përsëri- do të të thosha që ke nevojë për një kopshtar të mirë
-         -  Po nuk po flasim për mua këtu – u nxitova të sqaroj
-         -  E di – mu përgjigj – as për mua…
Ngrita sytë dhe pashë përreth me vëmëndje për të gjetur ndonjë shënjë të vjeshtës por nuk pashë asnjë gjethe të zverdhur për çudi. Bimësia frymonte si e marrë aromën e shiut dhe tundej sa majtas djathtas si e dehur. Vetëm ajo lëngonte e zvogëluar.
-        -   I sheh rosat? – më pyeti
-          - Sigurisht që po  - iu përgjigja

-          - Së shpejti duhet të ikin, duhet të shtegëtojnë, por e di çfarë ndodh? Njerëzit vijnë ketu dhe i ushqejnë, dhe ato harrojnë të ikin…. Harrojnë që se shpejti do vijë vjeshta dhe më pas dimri dhe vdekja. Kërkon vërtet mjaft maturi që të gjesh tamam kohën kur gjërat duhet t’i lesh te ikin në mënyrë që t’i lëshosh dhe harrosh, në mënyrë që të mos i shohësh si të vdesin përditë nga pak në duar… që t’u japësh mundësinë të rilindin apo vinë përsëri në pranverën e ardhëshme.
 Kuptova që së shpejti do ikte edhe Madhëria e Tij dhe ndjeva nje sëmbim në krahëror.





No comments: