Saturday, August 8, 2015

Tregimet e lagunes

-          2 –

-          çfarë mendove? – e pyes sapo afrohem . Asnjëherë nuk mundem ta kap në befasi. Fryma e saj rrethon krejt vëndin dhe unë ndjehem si një merimange e vogël mbështjellë nga pezhishka e saj. Ka ca kohë që nuk i kam më frikë merimangat, madje as nuk i vras më. Nuk janë agresive dhe në prëgjithësi nuk sulmojnë. Kur i gjej nëpër shtëpi i kap me kartpicetë dhe i hedh nga ballkoni. Le të shkojnë në fatin e tyre. Shtëpia ime është banesa ime të cilën unë nuk dua ta ndaj me to.

-          Shhhhhhhtttt – më pëshpërit me zërin e sheshtë dhe krejtësisht të pazakontë…. Shiko atje tej.

         Suprina fillon të bëjë rrathë të ngadalshëm… Rrathë rrathë rrathë… pastaj papritur shfaqet një zog i madh sa një lejlek me pupla bojqielli. Ai ngre qafën e gjatë dhe më sheh me kërshëri. Unë gati sa nuk fluturoj mbi lagunë nga ngazëllimi.
-          E di që ti je mu në mes të qytetit? – e pyes-  e di që vetëm disa metro më tutje rrugët gëlojnë nga makinat, gradaçelat, dhe teknologjia bashëkohore sundon çdo cm katror të këtij vendi.
-          Nuk dua t’ia di- më përgjigjet e qetë – Preokupimi im është moti dhe stuhia që po e pres me padurim.
          Pastaj kthej sytë nga zogu bojqielli që ka dalë të  hajë darkë dhe të bëjë shëtitjen e mbrëmjes para se të flejë. Eshtë vetëm. Nuk është çift. Kushedi çfarë do i ketë ndodhur vallë femrës së tij. Apo ndoshta është mashkull solitary që jeton në vetmi.  Ja tashti është në gjueti. E zgjat qafën e gjatë me një elegance dhe ngadalësi tinëzare dhe pret  ashtu me qafën e tendosur mbi ujë prenë e tij. Ngadalë… ngadalë… shumë shumë ngadalë… Pastaj sulmon me shpejtësi rrufeje dhe godet. Kur koka del jashtë ujit në sqep përpëlitet një peshk. Peshqit nuk para i dua. Më duken budallenj qofshin këta edhe peshqit e kuq, por kjo nuk do të thotë aspak që dua ti vras apo ndëshkoj për budallallëkun e tyre. Thjesht me ta nuk dua që të flas dhe të më flasin dhe madje nuk jam as ndonjë peshk-ngrënëse e shquar. Nuk më pëlqen peshku as si ushqim.
    -          Më mahnite – i them. Nuk kam asgjë të këtij lloji për të të treguar sot.
          Një nënë me një fëmijë vinë në breg. Fëmija mban në dorë një pako me biskota dhe fillon të ushqejë rosat. Nuk kam asnjë lloj interesimi për rosat. Kam parë me qindra kur kam qënë fëmijë. I rrisnim nëpër oborret e shtëpive. Janë shumë më pak interesante se sa pulat. Këto të fundit i ndiqja kur isha e vogël dhe pasi i kapja i bëja kontrollin gjinekologjik për të parë nëse kishin vezë për të bërë atë ditë.
          Fëmija hedh biskotat në lagunë. Peshqit grumbullohen në grupe të vegjël si të çmendur pas biskotave. Rosat i ndjekin. Dhe ja… ja ku vjen ngadalë zogu me pendë të kaltra. Afrohet tepër i kujdesshëm dhe ngul sqepin në ujë për të kapur peshqit e kuq të hutuar pas ushqimit. Gjah i kollajshëm sonte. Një darkë e mire e bollshme këtë natë vere. Ia ngjis emrin “Madhëria e Tij”. Pastaj  ai vazhdon shëtitjen ndërsa unë iki.
-          Të kam një borxh – I them duke u larguar.

Ajo buzëqesh qetësisht… oh sa qetësisht me fytyrën, flokët e gjelbërt dhe sytë e kaltër të palëvizshëm.







-       -   1  -

Ajo qëndron qetësisht aty me fytyrën nga qielli , pa asnjë rrudhë veç me disa quka të vogla aty këtu. Unë e sodis nga sipër. Kallamishtet derdhen drejt pa lëvizur si flokë të gjatë të gjelbër.
-Eh- psherëtij unë
-Eh- psherëtin ajo me një zë që asnjë kordë e grykës njerëzore nuk mund ta artikulojë. Ka një lloj dorëzimi në zërin e saj...lëngim i lehtë i njëtrajtshëm... ligatine. Por ka gjithashtu aromë të freskët për çudi...aspak erë algash të kalbura që dekompozohen. Flokët i rrethojnë fytyrën më të gjalla dhe më të gëzuara se kurrë.
- Fol- më thotë – po të dëgjoj. A nuk është kjo dëshira jote e momentit? Të flasësh… të të dëgjojnë?  Më thuaj…çfarë mendove? – vazhdon më pyet.
 – Po përsias mbi dashuritë – i përgjigjem. – Para disa ditësh dëgjova një debat mbi vjetërimin dhe konsumimin e dashurive dhe pastaj hidhen si rroba të vjetra dhe zëvendësohen nga rroba të reja.
- çfarë më thua- pyet ajo- asgjë nuk kuptova. Përse iu duhen rrobat në fund të fundit. Ja nuk e sheh? Asgjë nuk vesh rroba në natyrë. Jam e sigurt që nëse ajo që më the më sipër është diçka shqetësuese e keqja fillon tek veshja… tek rrobat.
- Po ti çfare mendove ? – e pyes
- eh, çtë them… Po ma marr frymën kjo vape. Jam zvogëluar dhe jam bërë sa një grusht. Po më ikën jeta. Janë pakësuar shumë peshqit e kuq dhe nuk kam me çfarë t’i ushqej flokët e mija.
- Dukesh e qetë – i them.
- Kam dhe unë ditët e mija të mira dhe ditët e mija të vrenjtura – ma kthen- jam pasqyrim i qiellit.
- Atëherë po vi të të shoh në një ditë me stuhi
- Mendon që shiu bën pjesë në ditët e mija të këqia? Je gabim…Stuhitë janë orgazmat e mija. Unë ngopem në shi, kënaqem, laj floket dhe ndriçoj pas shiut.
Pastaj ajo shkund flokët e kallamishtëta me krenari.
Eshtë vone. Dielli po perëndon dhe unë duhet të iki.
- Eja përsëri- më thotë… dhe unë i premtoj…

©M.P.


No comments: