Monday, August 17, 2015

Tregimet e lagunes

 - 3 -


-Erdhe?
-Këtu jam- i përgjigjem.  Më duhet të vrapoj dy km e gjysëm për të të dëgjuar – i them- dhe duhet të vrapoj, jo të eci por të vrapoj.
Sapo kam mbaruar vrapin dhe jam e djersitur. Ajo kundërmon erë bari të njomë dhe erë lagështirë. Unë vë duart në bel dhe ndjej papritur erën e djersës së trupit tim. Nuk më bezdis aspak për çudi madje e nuhas me një farë këmbëngulje. Gjithmonë kam menduar që një nga treguesit që kemi rënë në dashuri me dikë është që nuk na bezdis era e trupit të tij.
- Përse gjithmonë përsiat mbi ndjesitë dhe sidomos mbi dashurinë? – më pyet
-Sepse mendoj që ato ndjesi na dallojnë ne si qënie njerëzore nga qëniet e tjera, ndërsa dashuria është ndjesia më e mrekullueshme në këtë planet. E di ti se çfarë është dashuria psh?
- Po – më befason përgjigja e saj – Dashuria është agu i sapolindur, është rrezja e parë e diellit që më përkëdhel fytyrën dhe më ndriçon thellë deri në humbëtirat e mija, është përkëdhelja e puhizës që më ledhaton flokët dhe mi rrit dita ditës, është klithma e Madhërisë së Tij kur zgjohet në mëngjes dhe përshëndetet me rrezen, është një re e kalter në një cep të qiellit blu që pasqyrohet në ujrat e mija.
- Një re e kaltër në qiellin blu- përsëris pas saj. Më kujtohet që kam qënë dikur një e tillë
-Më duket se harrove stuhinë dhe vetëtimat -  i them
- Jo- më përgjigjet – Ato janë seks dhe orgazëm.
- Dashuria – përpiqem të përifrazoj unë- është ajo ndjesi që i bën dy njerëz të ndryshëm të rrinë bashkë dhe të bëhen si një i vetëm, të pandarë, të rrisin rrënjë në shpirtin e njëri tjetrit dhe te mos kuptohet se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.
- Vetëm dy? –më pyet  dhe unë ndjej diçka të ndryshme në zërin e saj. –shiko atje- vazhdon…
Kthej kokën dhe shoh në fund të rrugës që humbet në pyll dy djem dhe një vazjë të re që po zhdukeshin në horizont. Ajo kishte forma të përsosura si një statujë eboniti dhe kishte vendosur të dy bërrylet e saj në supet e secilit djalë ndërsa pëllëmbet i mbante të lëshuara lirshëm mbi gjoks dhe ecnin ashtu të tre qetësishtë në atë pozicion të pazakontë.
-          Të gjitha gjërat vinë në tre – më thotë.

“Ati Biri dhe Fryma e shenjtë…- mendoj- trupi mëndja dhe shpirti… përmasa e tretë gjithmonë e neglizuar e panjohur dhe e mohuar… trekëndeshi i famshëm i Bermudes… më dhëmb përmasa e tretë…”


Ndërkohë Madhëria e Tij ka dalë të bëjë xhiron e mbrëmjes dhe unë duhet të largohem sepse zakonisht nuk e mbaj dot peshën e muzgut që sa vjen e trashet mbi lagunë.


No comments: