Monday, February 8, 2016

Verdh' e Zi

Më e vjetër se vetë njerëzimi është dashuria
prandaj fjalët janë lashtësuar, vjetëruar
poetët tkurren, për të kanë frikë të shkruajnë
shtërzojnë të mjerët mbi figura e rima të thinjura
për ti bërë vargjet të papritur, të dëshiruar.

Por unë nuk jam poete dhe kjo një poezi dashurie
sepse patetikisht kam shumë dëshirë të të them që:
“ti je një diell i zi dhe sa here dukesh e zhdukesh
sa herë lind dhe perëndon në elipset e tua të rastësishme
dhe sa herë më përqafon me rrezet e tua të zeza
unë mendoj vetëm atë gropën tënde të errët e thithëse
që formën ndrron në qëndër të qënies time”.

Unë refuzoj të jem poete dhe kjo një poezi
në mënyrë që të mundem të të them pa ndrojtje:
“Kupto që nuk mund të më përqafosh
sido që unë ti shoh në ëndër rreze-krahët
sepse nëse dikur isha lule kamomile
tani jam veç pjalm i verdhë,
dhe ti nuk je bletë por një diell i zi”.

Dua të të them, pa u kujdesur të mahnis askënd
pa matur vargje rima metafora krahësime
sa frikshëm shkon e zeza me të verdhën
në agimet kur ti vendos të shfaqesh
derdhesh përhumbesh shfryn si puhizë e pakënaqur
mbi çdonjërën prej kokrrizave të pjalmit tim
dhe si hutohem unë humbëtirave
në çastin fillestar  të perëndimt tënd të papritur.

©M.P.

No comments: